Një projekt i ri turistik po merr jetë në veri të bregdetit shqiptar. Baks Bay synon të shndërrohet në një destinacion unik, duke sjellë një ndikim të rëndësishëm ekonomik, social dhe turistik për rajonin dhe për Shqipërinë.
Shumë shpejt, bregdeti verior i Adriatikut pritet të bëhet një nga destinacionet më të preferuara për çiftet, familjet, pensionistët dhe turistët e huaj që kërkojnë një mënyrë jetese pranë detit gjatë gjithë vitit.
Në kufi me Ranën e Hedhun dhe në skajin jugor të bregdetit të Velipojës, Baks Bay është konceptuar si një qytezë moderne buzë detit, që ofron një stil jetese mesdhetare me standard ndërkombëtar. Kjo qytezë turistike kombinon arkitekturën bashkëkohore, turizmin e qëndrueshëm dhe integrimin me natyrën e zonës, duke krijuar një destinacion të ri për të jetuar, pushuar dhe investuar.

Brenda rezidencës do të ofrohet një gamë e plotë shërbimesh dhe ambientesh, duke përfshirë pishina, hapësira të gjelbërta, palestër, ambiente sportive, SPA, shërbime hotelerie dhe aktivitete të dedikuara për të gjitha grupmoshat.
Përtej dimensionit turistik, projekti synon të japë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe social të zonës, duke nxitur punësimin, përmirësimin e infrastrukturës, zhvillimin e bizneseve vendase dhe promovimin e veriut të Shqipërisë si një destinacion i ri në hartën ndërkombëtare të turizmit.
1. Transformimi i zonës në një epiqendër të re turistike
Një hapësirë e pazhvilluar do të transformohet në një qytezë turistike moderne me infrastrukturë bashkëkohore, hapësira të gjelbërta dhe shërbime të integruara gjatë gjithë vitit.
Për rezidentët do të ofrohen ambiente sportive, pishina, palestra, zona rekreative si dhe bare, restorante dhe ambjente tregtare. Projekti parashikon gjithashtu një qendër trajnimesh profesionale në shërbime hotelerie dhe turizmi, një qendër shëndetësore për nevojat e komunitetit si dhe hapësira sociale e sportive për të gjitha grupmoshat.
Projekti është konceptuar për çiftet e reja, familjet dhe moshën e tretë që kërkojnë një mjedis të qetë, pranë natyrës dhe detit.

Ky transformim pritet të rrisë ndjeshëm vlerën e zonës përreth dhe të krijojë një destinacion të ri për turistët vendas dhe të huaj.
2. Benefitet ekonomike dhe ndikimi në zhvillimin rajonal
Gjatë zhvillimit të këtij projekti, do të krijohen me mijëra vende të reja pune, duke ofruar mundësi për profesionistë në sektorë si hoteleria, turizmi, mirëmbajtja, siguria dhe menaxhimi.
Vetëm gjatë fazës së ndërtimit parashikohet punësimi i rreth 3000 personave, ku pjesa më e madhe do të jenë banorë të zonave përreth. Ndërsa gjatë fazës së operimit dhe menaxhimit të projektit, pritet të punësohen rreth 1000 punonjës me kohë të plotë gjatë gjithë vitit.

Përveç punësimit, projekti synon të kontribuojë edhe në zhvillimin profesional të të rinjve përmes trajnimeve dhe programeve profesionale në sektorin e turizmit dhe mikpritjes.
Ndikimi ekonomik do të shtrihet edhe në sektorë të tjerë lokalë, duke rritur kërkesën për produkte bujqësore, shërbime transporti, artizanat dhe produkte tradicionale të zonës. Kjo do të nxisë qarkullimin ekonomik lokal, duke krijuar një cikël të qëndrueshëm të prodhimit, konsumit dhe investimeve, me efekt pozitiv në zhvillimin e gjithë rajonit.
3. Një qytezë turistike për të jetuar gjatë gjithë vitit
Shqipëria ka përjetuar një rritje të fortë të turizmit në dekadën e fundit, por aktiviteti turistik mbetet ende i përqendruar kryesisht në sezonin veror.

Modeli i zhvillimit të Baks Bay synon të krijojë një destinacion që funksionon në të katër stinët.
Rezidenca është konceptuar me në qendër familjen, jetën në komunitet dhe një stil modern jetese pranë detit. Brenda saj nuk do të ketë lëvizje makinash, por vetëm këmbësorë dhe mjete elektrike, me synimin për të reduktuar trafikun, për të rritur sigurinë dhe për të krijuar një mjedis të qetë, të gjelbër dhe të përshtatshëm për bashkëjetesë e ndërveprim.
Kjo filozofi zhvillimi reflekton trendet botërore të turizmit bashkëkohor, ku prioritet kanë cilësia e jetës, mirëqenia dhe integrimi me natyrën.

4. Pozicioni Strategjik i “Baks Bay”
Pozicioni gjeografik e vendos projektin Baks Bay në një pikë strategjike të veriut të Shqipërisë, në kufi me Ranën e Hedhun dhe Velipojën.
Zona ndodhet rreth një orë e gjysmë larg Tiranës dhe Durrësit dhe është lehtësisht e aksesueshme edhe nga qytete të rëndësishme të Ballkanit. Koha e udhëtimit pritet të shkurtohet me përfundimin e projekteve strategjike të infrastrukturës, përfshirë segmentet e mbetura të Korridorit VIII dhe bypass-in e Shëngjinit, të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm lidhjen e zonës me kryeqytetin dhe pjesën tjetër të vendit.

Falë këtij pozicioni, projekti synon të tërheqë turistë dhe vizitorë nga tregjet kryesore europiane, si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Çekia, si edhe një numër në rritje vizitorësh nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
5. Mbrojtja e mjedisit dhe integrimi me natyrën
Baks Bay është konceptuar mbi parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, me fokus në mbrojtjen e mjedisit, ruajtjen e peizazhit natyror dhe krijimin e një ekuilibri mes zhvillimit urban dhe natyrës.

Në një sipërfaqe prej 148 hektarësh, ndërtimet do të zënë më pak se 9.5% të truallit, ndërsa projekti parashikon krijimin e mbi 300,000 m² hapësirash të gjelbra, peizazhi dhe zonash publike. Kjo qasje bazohet në parimin se vlera e një projekti modern nuk përcaktohet vetëm nga ndërtesat, por nga raporti i harmonizuar mes hapësirave të ndërtuara, gjelbërimit dhe mjediseve të përbashkëta.

Arkitektura ndjek stilin modern mesdhetar, duke ndërthurur estetikën bashkëkohore me elemente që respektojnë karakterin natyror të zonës. Për të ofruar një eksperiencë të plotë gjatë gjithë vitit, projekti përfshin fusha tenisi, padeli, basketbolli e futbolli, mini-golf, ambiente wellness, një ofertë të pasur gastronomike dhe aktivitete të dedikuara për familjet.
Që në fazën e projektimit janë integruar rekomandimet e raportit të ndikimit në mjedis, duke garantuar ruajtjen e korridoreve ekologjike dhe peizazhit natyror, respektimin e brezit mbrojtës 300 metra nga vija bregdetare, si edhe mbrojtjen e biodiversitetit dhe habitateve natyrore të zonës.
6. Një model i ri i turizmit në Shqipëri
Në një kohë kur Shqipëria po konsolidohet si një destinacion konkurrues në Mesdhe, Baks Bay sjell një model të ri të zhvillimit turistik, të bazuar në cilësi, qëndrueshmëri dhe planifikim afatgjatë.
Më shumë se një rezidencë, projekti është konceptuar si një qytezë turistike që gjeneron vlerë për rajonin, nxit zhvillimin ekonomik, zgjat sezonin turistik dhe kontribuon në promovimin e veriut të Shqipërisë në tregun ndërkombëtar.

Me një vizion afatgjatë, Baks Bay synon të vendosë një standard të ri për zhvillimin e destinacioneve turistike në Shqipëri, duke krijuar një hapësirë ku natyra, arkitektura dhe cilësia e jetesës ndërthuren në mënyrë të qëndrueshme.
